front

Nga Wiktionary

FRONT m.

1. usht. Brezi i veprimeve luftarake të trupave dhe të mjeteve, që qëndrojnë ballë për ballë me armikun; vija e përparuar ku janë vendosur forcat ushtarake vepruese në dallim nga prapavija. Front i gjerë. Fronti i luftës. Fronti dhe prapavija. Lajme nga fronti. Zunë frontin. Shkoi në front. U kthye nga fronti. Fronti u thye. Kaloi frontin.

2. Vendi ku janë përqendruar dhe veprojnë shumë njerëz në një aksion a në një fushë të caktuar (zakonisht në bujqësi, në ndërtim etj.). Fronti i punimeve. Caktoj frontin e punës.

3. Fushë, sferë a një degë e caktuar e veprimtarisë shtetërore ose shoqërore, ku përqendrohet puna e njerëzve; drejtimi i një veprimtarie të caktuar. Fronti kryesor. Fronti ideologjik (politik, ekonomik). Në frontin e prodhimit (e bujqësisë). Në dy fronte.

4. Bashkim i gjerë e i organizuar i forcave dhe i mjeteve për t'ia arritur sa më shpejt një qëllimi të caktuar; bashkim i gjerë njerëzish që kanë pikëpamje e synime të njëjta për diçka; organizatë e gjerë politike e masave të popullit që luftojnë ose punojnë për çlirimin e vendit dhe për pavarësinë kombëtare. Front unik. Fronti kombëtar. Fronti popullor. Fronti patriotik (antiimperialist, antifashist). Fronti Nacionalçlirimtar organizatë politike e masave të gjera popullore, që u krijua gjatë Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar mbi bazën e bashkimit vullnetar dhe të aleancës së klasës punëtore me fshatarësinë punonjëse, që bashkoi të gjithë patriotët në luftën kundër pushtuesve fashistë e tradhtarëve të vendit për çlirimin e Atdheut.

5. Ana a pjesa e përparme e diçkaje, balli. Fronti i valës. Fronti i antenës.

6. min. shih BALL/Ë,~I 4. Front i verbët. Fronti i galerisë (i tunelit, i pusit). Front kërkimi.

7. meteor. Zonë kalimtare midis dy masave ajrore me veti fizike të ndryshme. Front atmosferik. Front i ngrohtë (i ftohtë). Front tropikal (polar).

  • Në front të gjerë në të gjithë vendin, me përmasa të mëdha, në ballë të gjerë.