Jump to content

fije

Nga Wiktionary

FIJE f.

1. Pe i hollë, fill; çdo pjesë shumë e hollë që përbën pambukun, leshin etj. Fije dyshe. Fije sintetike. Fije leshi (pambuku, mëndafsh, liri, najloni). Pambuk (lesh) me fije të gjata.

2. Diçka shumë e hollë dhe e gjatë, që i ngjan perit; fill; diçka e hollë dhe e imët. Fije nervore. anat. Fijet muskulore. anat. penjëzat. Fije floku. Fije bari (kashte). Fije fshese. Fije teli (bakri, argjendi, çeliku). Fije shkrepëseje. Fije merimange. Fije kadaifi, (makaronash). Fijet e borët.

3. Gjethe. Fije duhani.

4. Fletë e hollë, e gjerë dhe e sheshtë. Fije letre. Fije kompensate.

5. dhe fig. Sasi shumë e pakët e diçkaje, një pakicë, një çikë (me nyjën joshquese një.) Një fije bukë. Një fije ujë. Kam një fije dyshim (shpresë).

6. Një copë tokë e ngushtë në mes të rrjedhës së lumit, ishull i vogël e i zgjatur në mes të ujit. Presin dru në fije. I nxjerrin (i çojnë) lopët në fije.

7. fig. Diçka që lidh ose që bashkon një send, një njeri a një grup njerëzish me një tjetër; lidhje, fill. Fije të padukshme. Fijet e miqësisë. Fijet e komplotit. Fija e bisedës (e tregimit). Këputen fijet. I ngatërroi fijet.

8. Përd. mb. sipas kuptimit 1 të emrit. Pambuk (mëndafsh) fije. Lesh fije.

9. përd. pakuf. Asnjë, kurrfarë. S'kam fije frike.

  • Fije për fije (fije e për pe, fill e për pe) shih te FILL, ~I. I ra në fije (në fill, në të) diçkaje e kuptoi drejt, e mori vesh mirë. E di për fije diçka e di shumë mirë, e di me hollësi. Humbi fijen (fillin) shih te FILL,~I. Është në fije (në fill) është në rregull, është në vijë, është mirë, i ka punët në vijë. Merr fije diçka merr të krisur, kris. Ka shkuar (është) në fije dikush është dobësuar e tretur shumë, është shumë i sëmurë; është lodhur shumë. I shkon (i vjen) pas fijes (pas fillit) dikujt flet në mënyrë që t'i bëjë qejfin dikujt tjetër, i shkon pas qejfit, nuk ia prish. E vë (e bie) në fije (në fill) diçka e vë në rregull, e rregulloj, e vë në udhë të mbarë, e vë në vijë. Erdhi në fije (në fill) u bë me mirë pas një sëmundjeje a pas një gjendjeje të vështirë, u përmirësua, e mori veten, erdhi në vete; erdhi në vijë. Asnjë fije floku asnjë thërrime, asnjë çikë, aspak. Fluturon me një fije bar përçm. shih te BAR,~I I. Kapet (mbahet) pas fijes së perit (së flokut, së kashtës) mbështetet në baza jo të shëndosha; mbahet me shpresa të kota. Mbahet pas një fije floku (pas flokëve të vet) iron. shih te FLOK,~U. Shpëtoi për një fije floku (për një fill, për një qime) qe në rrezik të madh, shpëtoi për pak. Varet (qëndron) në fije (në fill) të perit (të flokut) është në rrezik të madh, varet në një qime. Është me dy fije brinjë shih te BRINJ/Ë,~A. E ka mendjen fije peri është i zgjuar, është mendjehollë; e ka mendjen në rregull, nuk e ka humbur mendjen.