errët

Nga Wiktionary
Shko tek: lundrim, kërko

ERRËT mb.

1. Që është pa dritë; që merr shumë pak dritë, që ka dritë shume të dobët. Natë e errët natë pa hënë. Dhomë e errët edhe foto. Shkallë të errëta. Shpellë e errët. Pyll i errët. Qiell i errët qiell i mbuluar me re. Pus i errët shumë i errët.

2. Që ka ngjyrë të mbyllur, të afërt me të zezën; i mbyllur (për ngjyrën); kund. i hapur, i çelur. Ngjyrë e errët. E kuqe (blu, e gjelbër) e errët. Kostum (stof) i errët. Syze të errëta.

3. fig. Që është i vështirë për t'u kuptuar ose për t'u shpjeguar, i paqartë, i pakuptueshëm; që përmban diçka të fshehtë a të panjohur; kund. i qartë. Vepër e errët. Pika të errëta. Periudhë e errët. Çështje e errët. Perspektivë e errët.

4. fig. I mbushur me vështirësi, me shqetësime e me vuajtje, i turbullt, i rëndë, i hidhur. E kaluara e errët. Në shekujt e errët (në vitet e errëta) të pushtimit të huaj (të reaksionit).

5. fig. Që është i dyshimtë; që bëhet me paramendim e me qëllim të keq. Punë të errëta. Qëllime (synime, plane) të errëta. Me rrugë (me mënyra) të errëta.

6. fig. Që sjell prapambetje e padituri; që vepron në interes të reaksionit, reaksionar. Regjim i errët. Forcat e errëta.

7. fig. I vrenjtur, i ngrysur. Fytyrë e errët.

  • Në ditë të errët në gjendje të keqe; jo në shkallën e duhur, jo në formë. E shikon me syze të errëta shih te SYZE,~T.


ERRËT ndajf.

1. Në gjendje errësire, kur mungon drita ose është bërë natë dhe nuk duket gjë; vonë në mbrëmje. Ishte errët.

2. Në mënyrë të paqartë a të pakuptueshme. Flet (shkruan) errët.