Jump to content

duhem

Nga Wiktionary

DUHEM vetv.

1. Dua dikë dhe ai më do mua, më lidh me të një ndjenjë dashurie, miqësie e dhembshurie; e kam dhe më ka njeri të dashur a të shtrenjtë, shok a mik të ngushtë. Duhen shumë me njëra-tjetrën. Duheshin si vëllezër (si motra).

2. Bie në dashuri me një njeri të seksit tjetër, dashurohem. Duhej me një vajzë. Duhej me një djalë. Duheshin prej shumë kohësh. U deshën dhe u martuan.

3. kryes. veta III. Është i nevojshëm, nevojitet; kërkohet; hyn në punë për diçka, shërben, vlen. Duhet punë (qetësi, kujdes). Duhet shi (pleh, ajër). Duhet një njeri i aftë. I duheshin ca të holla. U duhen vegla pune. U desh shumë kohë. A duhem më këtu unë? Ç'ndihmë duhet? S'kanë ç'na duhen fjalët.

4. pavet. Përdoret si folje gjysmëndihmëse me vlerë modale përpara një foljeje në lidhore a përpara pjesores për ta paraqitur si të detyrueshme, si të nevojshme, si të domosdoshme atë që shpreh folja. Duhet mbaruar shpejt. Duhet thënë se... Duhet ta bëjmë patjetër. Duhet të arrijmë sot. Duhet të ngulim këmbë.

5. pavet. Përdoret si folje gjysmëndihmëse me vlerë modale përpara një foljeje në lidhore a përpara pjesores, me kuptimin «ka shumë mundësi, ka shumë të ngjarë, mundet». Duhet të jetë shkruar para shumë kohësh. Duhet të ketë qenë edhe ai. Duhet ta ketë kuptuar.

6. Pës. e DUA 1, 2.

  • Aq (kaq) sa duhet në masën a në shkallën e duhur, pa teprime e zvogëlime, aq sa është e nevojshme a sa kërkohet. Ashtu si duhet pa të meta e gabime, ashtu si kërkohet, mirë. Ç'i duhet atij? pse përzihet ai në këtë punë?, ç'i hyn në punë atij? S'ka ç'të duhet (kjo punë)! nuk të takon, nuk të përket ty kjo punë, mos u merr me këtë punë!