Shko te përmbajtja

ditë

Nga Wiktionary

Shqip

[redaktoni]

ditë

Etimologjia

[redaktoni]

Nga gjuha proto-shqipe *dī́tan ← nga gjuha proto-indo-evropiane *dih₂-t- ("dritë", "ndriçim", "rrezatim"). Shikoni nga gjuha sanskrite fjalën दीप् (dīp, "shkëlqen") për më shumë. Është e mundur që ta ketë përforcuar fjala diēs nga gjuhën latine.

Kuptimet

[redaktoni]


  .1.    Koha kur lind dielli e derisa perëndon, koha që kur gdhin e derisa ngryset; drita e diellit gjatë kësaj kohe; moti gjatë kësaj kohe; kund. natë.
  .2.  Koha prej njëzet e katër orësh, gjatë së cilës Toka bën një rrotullim të plotë rreth boshtit të vet; koha prej njëzet e katër orësh, që llogaritet zakonisht prej mesnate në mesnatë dhe që merret si masë.
  .3.  Një kohë e caktuar brenda javës, muajit a vitit, gjatë së cilës kryhet a vazhdon një punë, një veprimtari; koha e zënë ose jo me një punë a veprimtari; koha e punës brenda njëzet e katër orëve; puna që bëhet gjatë kësaj kohe.
  .4.'  bised. Paga për punën brenda njëzet e katër orëve, pagë ditore.
  .5.  Një datë kalendarike, e cila lidhet me një ngjarje të caktuar.
  .6.  vet. Pjesë e një periudhe të jetës së njeriut, të një epoke etj.; koha që lidhet me një moshë, me një epokë a me një periudhë të caktuar; vetë kjo moshë, kjo epokë a kjo periudhë.
  .7.  kryes. Koha sa jeton dikush; jeta e njeriut.
  .8.  Masë popullore për kohën sa zgjat një udhëtim, një punë etj.
  .9.  Kohë e pacaktuar; çast, kohë.
  .10.  si mbiemër ditës (i, e). Që i përket pikërisht kohës sonë, që lidhet me periudhën kur jetojmë; që ka rëndësi tashti, që vlen a përdoret tashti ose që duhet zgjidhur sa më parë; që është bërë brenda ditës e që është caktuar për atë ditë.

Shembujt

[redaktoni]

Ditë e gjatë (e shkurtër). Ditë të bukura. Ditë të kthjellëta (të vrenjtura). Ditë e ftohtë (e nxehtë). Gjithë ditën e ditës nga mëngjesi deri në mbrëmje. Gjatë ditës. Fillimi (mesi, mbarimi) i ditës. Zgjatet (rritet, shkurtohet, zvogëlohet) dita. Mori dita u rrit, u zgjat. U thye dita kaloi mesdita, erdhi pasdrekja. Është ditë. U bë ditë u gdhi. Iku (u ngrys) dita u ngrys. Me ditë me dritë dielli, pa u errur. Pa hapur (pa gdhirë, pa zbardhur) dita. Sa pa rënë dita. E bëri ditë. Ditë me re (me shi, me diell).

Frazeologji

[redaktoni]

Nga dita në ditë

a) shumë shpejt, në njërën prej ditëve më të afërme, së afërmi;

b) për çdo ditë që kalon, nga njëra ditë në tjetrën. Ditë e natë vazhdimisht, pa pushim. Në ditë të pikës shih te PIK/Ë,~A. Në mes (në pikë) të ditës sheshit; hapur. Ia preu ditën (orën, jetën) dikujt shih te PRES I. Rendi i ditës shih te REND,~I II. Në sy të ditës shih te SY,~RI 9. Urdhër dite shih tek URDH/ËR,~RI 2. Ç'je bërë në (më) këtë ditë! ç'arrite në këtë gjendje të keqe!, ç'je katandisur kështu! T'u bëftë dita një mijë! ur. t'u zgjattë jeta, rrofsh e qofsh sa malet! S'i ka bërë ende ditët edhe mospërf. është ende i vogël e pa përvojë, s'është bërë ende për diçka. E bëj natën ditë shih te NAT/Ë, ~A. Bli ditë e shko shih te BLEJ. Është në ditë të errët shih tek ERRËT (i, e). Ishte në ditë (në pikë) të hallit shih te HALL,~I. Është në ditët e veta është gati të lindë, do të lindë së shpejti (për gruan shtatzënë). Janë (ndryshojnë) si nata me ditën shih te NAT/Ë,~A. Është (vë, mbetet) në rendin e ditës shih te REND,~I II. S'ka dasmë çdo ditë (për ditë) fj.u. shih te DASM/Ë,~A. I ka ditët të shkurtra shih te SHKURTËR (i, e). Më tepër ditë se kuleç është në gjendje të vështirë ekonomike, nuk i del buka. Erdhi dita e tij erdhi koha e çasti kur dikush mund të plotësojë dëshirat a qëllimet që ka pasur a kur dikush bëhet i fuqishëm, i pushtetshëm. Kur të bëhen dy ditë bashkë iron. asnjëherë, kurrë. Dita ka sy e nata ka veshë fj. u. shih te VESH,~I. Kush ka ditën të mos presë mesditën fj. u. dita do shfrytëzuar që në mëngjes, s'duhet shtyrë puna për më vonë. Paraja e bardhë për ditë të zezë vjet. shih te PARA,~JA. S'shëndoshet (s'majmet) kau ditën që do të theret fj. u. shih te KA,~U. Ditë polare pjesë e vitit në zonat a rrethet polare, gjatë së cilës Dielli nuk perëndon për afro një gjysmë viti.

Lakimi

[redaktoni]