dashur

Nga Wiktionary

DASHUR

1. Pjesore e foljes DUA.

2. si ndajf. Dashur pa dashur ... me dashje ose pa dashje, me hir a me pahir; sidoqoftë.


DASHUR mb.

1. Që e dua fort, me të cilin me lidh një dashuri e çiltër dhe e thellë, që më ngjall dashuri; i shtrenjtë. Atdhe i dashur. Parti e dashur. Nënë (motër) e dashur. Baba (vëlla) i dashur. Fëmijë të dashur. Mik (shok) i dashur. Shoqe e dashur.

2. Që i do të tjerët, që sillet me dashuri, i afërt e i ngrohtë në marrëdhënie me të tjerë, i përzemërt. Njeri i dashur. Fëmijë i dashur. Është i dashur me shokë.

3. Përdoret kur i drejtohemi dikujt me mirësjellje, me dashuri e me nderim. Të dashura shoqe! Të dashur shokë! Të dashur dëgjues! Lexues të dashur! Shok i dashur! I dashur baba! Mësuesi im i dashur! Jo, mik i dashur, nuk është ashtu!

4. Që të hyn thellë në zemër, që të prek ndjenjat; që të ngjall kujtime të bukura e të këndshme, që e duam gjithnjë; që shpreh dashuri. Shtëpi (rrugicë) e dashur. Sende të dashura. Fytyrë e dashur. Sy të dashur. Zë i dashur.

5. Që e duam ose që na pëlqen shumë, që e kemi për zemër, që na tërheq në mënyrë të veçantë. Libër i dashur. Profesion i dashur.

6. Që është i këndshëm e i shijshëm, që pihet me ëndje, që të pëlqen, i pëlqyer (për pijet, për duhanin etj.). Verë (raki) e dashur. Duhan i dashur.


DASHUR f.

1. Vajzë që më do dhe e dua fort me një dashuri të pastër e të çiltër, ajo me të cilën më lidh një dashuri e vërtetë dhe që dëshiroj ta kem shoqe jete. E dashura e zemrës.

2. Përdoret për t'iu drejtuar me mirësjellje e me dashuri një gruaje a një vajze. Mirupafshim, e dashur! Mos u mërzit, e dashur!

3. keq. Dashnore. E ka të dashur. Doli me të dashurën.


DASHUR m.

1. Djalë që më do dhe e dua fort me një dashuri të pastër e të çiltër, ai me të cilin më lidh një dashuri e vërtetë dhe dëshiroj ta kem shok jete. I dashuri i zemrës.

2. kryes. Njerëzit e familjes, njerëzit më të afërt, miqtë e dashamirët. Si i ke të dashurit?

3. Përdoret për t'iu drejtuar me mirësjellje e me dashuri një burri a një djali. Mirupafshim, i dashur! Eja, i dashur!

4. keq. Dashnor. U takua (doli) me të dashurin.