dalloj
DALLOJ kal.
1. Shquaj me shqisa a me mend një njeri, një send, një dukuri etj. nga një tjetër, midis të tjerësh ose në një mjedis, ndaj a veçoj njërin nga tjetri dy njerëz, dy sende etj. sipas veçorive e tipareve të ndryshme që kanë; nuk e ngatërroj dikë a diçka me dikë a me diçka tjetër; e vë re dhe e njoh dikë a diçka në një mjedis. Dalloj ngjyrat (format, tingujt). Dalloj shkrimin e dikujt. Dalloj shokun në mes të turmës. Dalloj Yllin Polar. Dalloj të zezën nga e bardha. Dalloj të mirën nga e keqja. Dalloj kuptimet e fjalës. E dalloi menjëherë. Mezi e dalloi në errësirë. Kjo cilësi e dallon nga të tjerët. E dalloi nga zëri (nga e ecura). S'ka asgjë që ta dallojë. S'dallonte dot grurin nga thekra. S'e dallon dot.
2. bised. Vë në dukje para të tjerëve vlerat, punën a veprimtarinë e shquar të dikujt, e nxjerr të dalluar dikë. Repartin (uzinën) e tyre e dalluan.
3. jokal. Kam tipare e veçori që me shquajnë nga të tjerët, nuk jam si të tjerët; ndryshoj, dallohem. Dallojnë mirë njëra nga tjetra. Dallon shumë nga të tjerët.