dëshmitar

Nga Wiktionary

DËSHMITAR m.

1. Ai që është i pranishëm në një ngjarje dhe sheh me sytë e vet atë që ndodh ose dëgjon atë që thuhet. Dëshmitar i vetëm. Dëshmitari i ngjarjes. Tregimet e dëshmitarëve. S'kishte dëshmitarë.

2. Ai që bën një pohim me shkrim ose me gojë për të vërtetuar diçka; drejt. ai që thirret për të dëshmuar para organeve të drejtësisë për dikë a për diçka që e di, që e ka parë ose e ka dëgjuar vetë. Dëshmitari i akuzës (i mbrojtjes). Pohimi i dëshmitarit. Provë me dëshmitar. Thërriti dëshmitarin. Pyet (dëgjon) dëshmitarët. Ballafaqoi dëshmitarët. Doli dëshmitar.

3. Ai që ftohet të jetë i pranishëm në një veprim ligjor (martesë, testament etj.). Dëshmitar i martesës. E morën për dëshmitar. U bë me dy dëshmitarë.

4. fig. Send a diçka tjetër që ndodhet në vendin e një ngjarjeje dhe mund të shërbejë si dëshmi. Dëshmitar i heshtur.

5. vjet. Dëshmor. Ra dëshmitar.