Jump to content

unazë

Nga Wiktionary

UNAZË f.

  • 1. Rreth i vogël zakonisht prej ari, argjendi a prej një metali tjetër, që vihet në gisht si stoli, si shenjë e lidhjes bashkëshortore etj. Unazë ari (floriri, argjendi). Unaza e martesës (e fejesës). Unazë gjarpër unazë e derdhur në trajtën e një gjarpri të mbledhur. Unazë me gur. Unazë me vulë. Unazë me kërthizë. Guri i unazës. Gishti i unazës. Mban unazë. Heq (vë, ndërroj) unazën. Këmbejnë unazat. Ktheu unazën.
  • 2. Rreth prej metali ose prej një lënde tjetër të fortë, që përdoret për të bashkuar a lidhur diçka për të shtrënguar, për të mbajtur diçka etj.; hallkë. Unazë e jashtme (e brendshme). Unazë shtrënguese (rregulluese, lidhëse). Unazë mbrojtëse. Unazë hekuri (bronzi, qelqi). Unaza e kosës (e këmborës). Unaza e çelësit (e parashutës). Unaza e thepit. Unazat e zinxhirit. Unazat e perdeve. Unaza e hundës hundeja. Në trajtë unaze. E shtrëngoi me unazë. Futet në një unazë.
  • 3. vet. sport. Vegël gjimnastikore prej dy rrathësh druri, që varen në litarë. Ushtrime në unaza. Kap unazat. Ngjitem në unaza.
  • 4. Diçka që ka trajtën e një rrethi të vogël ose që merr këtë trajtë. Unazë tymi. Unazë e shtyllës kurrizore. anat. rruazë e kurrizit. Unaza e kërthizës. anat. Unazat e Saturnit. astr. rrathë të ndritshëm përqark këtij planeti.
  • 5. zool. Çdonjëri prej rrathëve që përbëjnë trupin e disa krimbave, të disa kandrrave e të disa kafshëve të tjera që nuk kanë eshtra; rreth. Unazat e krimbit të shiut. Unazat e shushunjës. Unazat e barkut të bletës.
  • 6. Varg njerëzish a sendesh që rrethojnë nga të gjitha anët dikë a diçka; rreth. Unazë e zjarrtë (e hekurt). Unazë e pakapërcyeshme. Unazë e mbyllur. Unazë rrethimi. Unazë ushtarësh (policësh). Çau (shpërtheu) unazën e rrethimit.
  • 7. Rrugë që kalon rreth e rreth qytetit (zakonisht në qytetet e mëdha). Unazë e gjerë. Unaza e madhe (kryesore). Unaza e qytetit. Autobusi i unazës. Stacionet e unazës. Doli në unazë. Kalon nëpër unazë.
  • 8. gjeom. Sipërfaqja që përfshihet midis dy rrathëve bashkëqendrorë.
  • I bukuri i unazës (i dorës) bised. shih te BUKUR, ~I (i). Ishte në unazë ishte i fejuar. E ka unazë në gisht e ka gjithnjë parasysh, nuk e harron, e ka vath në vesh. Unaza vjetore rrathë në trungun e një druri të prerë për së gjeri, që tregojnë moshën e tij.