rrënjë
Appearance
RRËNJË I f.
- 1. bot. Pjesa kryesisht nën dhe e një bime barishtore, e një shkurreje a e një druri, që e mban atë të ngulur dhe që i shërben për të thithur ujin a ushqimin; pjesa e nëndheshme e disa bimëve, që përdoret për ushqim, për të bërë barna a pije ose për të përgatitur sende të ndryshme. Rrënjë e hollë (e trashë, e shkurtër, e thellë). Rrënjë kryesore (nëntokësore, ajrore, mbitokësore, anësore). Rrënjë boshtore (xhufkore, penjëzore). Rrënjë të kalbura. Rrënjë në ujë. Qafa e rrënjës. Qimet (sythat) e rrënjës. Pije (barna) me rrënjë bimësh të egra. Çibuk nga rrënja e shqopës. Lëshon (nxjerr, zë) rrënjë. I pres rrënjët. Shkul rrënjën. I zbuloj (i mbuloj, i mbath) rrënjët. E nxjerr me gjithë rrënjë. Shtoj me rrënjë.
- 2. Një bimë e mbjellë ose një pemë që jep kokrra; një bimë a një dru si njësi numërimi. Dyzet rrënjë mollë (hardhi). Njëzet rrënjë ullinj. Mbollën pesëqind rrënjë pemë. Plehërojnë çdo rrënjë (rrënjë me rrënjë).
- 3. anat. Pjesa me të cilën një organ me trajtë të zgjatur është kapur ose është ngulur në një ind; pjesa e prapme e një organi të tillë. Rrënja e flokut. Rrënja e thoit. Rrënja e hundës rrëza e hundës. Shkul (heq) rrënjët e dhëmbit. I mbeti një rrënjë. I këputi rrënjët.
- 4. fig. Burimi më i parë e më i thellë i një dukurie, prejardhja; mbështetja e thellë, mbi të cilën rritet e zhvillohet diçka, themeli. Rrënjë të thella (të forta). Rrënjët e vërteta. Rrënjët klasore. Rrënjët historike (ideologjike, shoqërore, filozofike). Rrënjët e së keqes (e paragjykimeve, e gabimeve, e kontradiktave). I gabuar që në rrënjë. I gjeti rrënjët diçkaje. I ka rrënjët thellë në... E kap (e zë) nga rrënjët diçka. Gjer në rrënjë. E tundi (e lëkundi) nga rrënjët. E mësoi me rrënjë. Liria i ka rrënjët në gjak. fj. u.
- 5. gjuh. Pjesa kryesore e fjalës, që nuk mund të ndahet më tej në pjesë përbërëse, që bart e ruan kuptimin themelor dhe që shërben si bazë për të formuar fjalë të reja me anë parashtesash, prapashtesash etj. Rrënjë emërore (foljore). Rrënjë njërrokëshe (dyrrokëshe). Rrënja e përbashkët. Fjalë të një rrënjë. I gjej rrënjën fjalës.
- 6. mat. Numër a shprehje algjebrike, që, kur ngrihet në fuqi, jep madhësinë e dhënë më parë; numër që shërben si zgjidhje e një barazimi. Rrënjë katrore (kubike). Rrënjët aritmetike (algjebrike). Rrënja e një thyese. Shenja e rrënjës. Nxjerr (gjej) rrënjën katrore të një numri. Ngre në fuqi një rrënjë.
- 7. kim. Grup me atome në molekulat e lëndëve kimike, që merr pjesë në reaksionet pa u ndryshuar. Rrënjë kimike. Rrënjë acide (bazike). Rrënjë e lirë.
- 8. bised. Prejardhja e një njeriu, familja a farefisi nga vjen dikush; mbështetja e përkrahja që ka dikush nga njerëzit e afërm ose të njohur, rrethi i ngushtë. Rrënja e një njeriu (e një fisi). Nga e ka rrënjën? Nga ç'familje a nga ç'shtresë rrjedh? Ka rrënjë të thella (të forta) dikush. Rrënjë pas rrënjë brez pas brezi. Është pa rrënjë ka mbetur pa familje. I ka dalë rrënja ka mbetur pa fëmijë, pa trashëgimtarë. I ka rrënjët të shkulura ka mbetur fill i vetëm, i shkretë, pa të afërm, pa njeri.
- Me rrënjë në mënyrë të thellë, shumë mirë e me hollësi. (E pyes) rrënjë më rrënjë (e pyes) me hollësi, imtësisht. Ia heq (ia tërheq) rrënja për diçka ka qejf për diçka, ia do qejfi. Lëshon (zë, ngul, hedh, shtie) rrënjë
- a) dikush zë vend përgjithmonë diku, ngulet përgjithnjë; shkon në një vend e s'di të ikë më që andej;
- b) diçka zë vend të qëndrueshëm, rrënjoset fort. Numëron rrënjët shih te NUMËROJ. Ia pres rrënjët diçkaje shih te PRES I. Shkul (përmbys, pres) nga rrënjët (me rrënjë) e shkatërroj që nga themelet, i heq çdo mundësi për të jetuar a për t'u zhvilluar më tej, e shfaros, e zhbij. I zbuloj rrënjët dikujt a diçkaje shih te ZBULOJ. U bë rrap e rrënjë shih te RRAP,~I. Nuk ka degë pa rrënjë fj.u. askush a asgjë nuk mund të ecë përpara pa pasur një themel të shëndoshë; nuk ka zhvillim pa mbështetje të shëndoshë; nuk ka majë pa rrëzë. I ka rrënjët mbi ujë është pa mbështetje, nuk ka themel të shëndoshë, qëndron në ajër. I ngeci plori në rrënjë shih te PLOR,~I. E njoh (e di) me rrënjë e me degë e njoh shumë mirë, ia di të gjitha me hollësi. E shau rrënjë më rrënjë (me rrënjë e me degë) e shau shumë rëndë, s'i la gjë pa thënë. E shkulën (e ngritën) me rrënjë e me degë e larguan a e dëbuan nga një vend me gjithë familje, me të madh e me të vogël. E kap për rrënjësh e jo pas degësh kap hallkën kryesore, i futem thelbit për të zgjidhur diçka, e kap demin për brirësh. Gjuha e ka rrënjën në zemër fj. u. shih te GJUH/Ë,~A. Mos mburr degët pa parë rrënjët! fj. u. për të vlerësuar diçka mos u mbështet në anët e jashtme, por shiko brendinë, thelbin, themelet, shkaqet, qëllimet.
RRËNJË II f. bot.
- Lloj dushku me trup të drejtë e me gjethe si të gështenjës, që bën lende të bashkuara zakonisht tri e nga tri dhe që përdoret për lëndë ndërtimi, për të nxjerrë tanin, për të bërë qymyr të cilësisë së lartë etj. Druri i rrënjës. Lende e rrënjës.