Jump to content

pllakë

Nga Wiktionary

PLLAKË f.

1. Rrasë e hollë prej guri, prej mermeri, prej çimentoje etj. zakonisht me katër qoshe, me sipërfaqe të sheshtë e të lëmuar, që shërben për të shtruar dyshemetë, rrugët, këmbësoret etj. ose për të mbuluar a për të veshur diçka; petë e tillë prej metali a prej lënde tjetër që shërben për punë të ndryshme. Pllakë e gurtë (e metaltë). Pllakë e rrumbullakët. Pllakë guri (mermeri, çimentoje, hekuri, gize, bakri). Pllakë xhami (plastike, fibre). Pllaka fajance. Pllakë zdrukthi pllakë prej tallashi të trashë, të përzier me tutkall e të ngjeshur fort, që përdoret si dërrasë. Pllaka dyshemeje. Pllakat e Marrit. Fabrika e pllakave. Oborr (rrugë, dhomë) me pllaka. E shtruan (e mbuluan, e veshën) me pllaka.

2. vjet. Rrasë e vogël, e hollë, me katër qoshe e në ngjyrë të zezë, që përdorej nga nxënësit e fillores për të shkruar mbi të me një laps të posaçëm. Pllakë me vija (me kuti). Shkruanin në pllaka. Fshiu pllakën.

3. Rrasë guri a metali ku është shkruar diçka. Pllakë përkujtimore pllakë mermeri a metali që vendoset diku për të përkujtuar një ngjarje të rëndësishme ose një njeri të shquar. Pllaka e derës (e portës).

4. Petë e vogël guri, me të cilën luajnë fëmijët.

5. Rrotull e hollë prej lënde të posaçme, ku është regjistruar një këngë, një melodi a zëri i dikujt, disku i gramafonit; bised. kënga a melodia e regjistruar në këtë rrotull. Pllakë gramafoni. Pllaka shqiptare. Pllakë e bukur (e vjetër). Vuri një pllakë. U thye pllaka.

6. Fletë xhami e veshur me një shtresë shumë të ndjeshme ndaj dritës, që përdoret për fotografim. Pllakë fotografike.

7. përd. mb. Që ka trajtën e një rrase a pete. Xham pllakë xham i trashë në trajtë fletësh, që përdoret për dritare, pasqyra etj.

  • Si pllakë (si gur) varri shih te VARR,~I. E ktheu (e ndërroi) pllakën (fletën) keq.

a) nisi një bisedë tjetër, e ndryshoi temën e bisedës;

b) e ndërroi qëndrimin a mendimin e mëparshëm, kaloi në anën e kundërshtarit, tradhtoi. E rregulloi pllakën e rregulloi punën ashtu siç i leverdiste. Është pllakë gramafoni dikush a) flet pa pushim; b) flet i kurdisur nga dikush tjetër.