gjëmoj
Appearance
GJËMOJ I jokal.
- 1. pavet. Ushton një krismë e fortë, një zhurmë e madhe dhe e zgjatur pas vetëtimës, bubullin. Gjëmon moti. Gjëmon për shi. Po gjëmon andej nga deti. Nuk gjëmon po s'vetëtiu. fj. u.
- 2. vet. veta III. Lëshon një zhurmë të fuqishme, të mbytur e të zgjatur; jehon nga tinguj a nga zëra të fuqishëm; ushton; uturin; buçet. Gjëmojnë topat. Gjëmojnë malet. Gjëmon deti (vala). Gjëmon traktori. Gjëmon salla nga duartrokitjet. Gjëmonte shtëpia nga gëzimi. Më gjëmojnë veshët më uturijnë veshët.
- 3. vet. veta III. Dëgjohet gjithandej me fuqi, tingëllon e përhapet me forcë, ushton, buçet. Gjëmon kënga. Gjëmon zëri i komandantit.
- 4. Flas me zë të lartë e të ashpër, bërtas. I gjëmoi të birit.
GJËMOJ II kal.
- 1. vjet. Qaj me zë një të vdekur sipas zakonit, i bëj gjëmën.
- 2. jokal. Rënkoj mbyturazi nga dhembja ose nga një fatkeqësi.
GJËMOJ III kal. bised.
- 1. edhe jokal. Ndjek nga pas me vrap; gjurmoj. I gjëmoi nga prapa. E gjëmoi këmba-këmbës. Ky zagar e gjëmon shumë lepurin.
- 2. jokal. Vrapoj. Gjëmo këtej, gjëmo andej, u lodh.
- 3. fig. I bie pas një pune, e ndjek. I ka gjëmuar shumë kësaj pune.