pupël

Nga Wiktionary

PUPËL f.

1. Secila nga pendët e vogla e të buta që mbulojnë trupin dhe pjesën e sipërme të këmbëve të shpendëve; pendë. Pupla të bardha. Pupla zogjsh. Pupla rose (pate). Puplat e këmbëve. Dyshek (jorgan) me pupla. I ndërrohen puplat.

2. Lloj fisheku pa lëndë plasëse, me majë të mprehtë prej metali dhe me një tufë qimesh nga prapa, që përdoret me pushkë të posaçme sportive për stërvitje. Armë me pupël. Qitje me pupël.

3. përd. mb. Shumë i lehtë (edhe fig.). Është pupël fare. E ka gjumin pupël. Është pupël nga mendja. I ka mendtë pupël.

4. përd. ndajf. (me një mbiemër). Shumë. I lehtë pupël. E ndjente veten pupël (të lehtë).

  • I ranë puplat (pendët, fletët) dikujt mospërf. shih te PEND/Ë,~A I. Doli puplash dikush u prish nga mendtë. I dolën puplat (pendët) dikujt

a) u rrit, u bë i zoti i vetes;

b) e mori veten, u rregullua nga gjendja ekonomike. Ia la puplat (pendët) dikujt iron. shih te PEND/Ë,~A I. Është mësuar (është rritur) në pupla dikush është mësuar me kushte shumë të mira jetese, nuk e ka vrarë jeta, është rritur me vezë në tigan. S'e prek dot as me pupël (as me pendë)

a) është tepër i ndjeshëm, s'duron fare asnjë fjalë, asnjë shaka etj., zemërohet shpejt;

b) nuk pranon asnjë kritikë, është shumë mendjemadh. Pupël përmbi ujë i lehtë nga mendja. I qiti puplat shih te QIT. I uli puplat (pendët) shih te PEND/Ë,~A I. Si zog pa pupla i pambrojtur, në mëshirën e fatit; i pafuqishëm. S'i kanë dalë (ende) puplat është ende i vogël, nuk ka fituar ende përvojën e jetës, i ka buzët me qumësht. Nuk guduliset me pupël zogu nuk preket lehtë, nuk zemërohet shpejt; e mban veten, është i përmbajtur. E hëngri me gjithë pupla thjeshtligj. e vuri poshtë keq, e mposhti; e groposi. Është i shkundur puplash dikush

a) është i varfër e i këputur, nuk ka asgjë pos shpirtit;

b) keq. nuk ka fare mend në kokë. Nuk i është thyer (nuk i thyhet) pupla në dorë dikujt është shumë i zgjuar, i zoti e i shkathët; nuk ia ha qeni shkopin. Shumë pupla e pak mish fj. u. thuhet për dikë që nga pamja e jashtme duket sikur diç është, por në të vërtetë nuk ka ndonjë vlerë të madhe ose është fyçkë nga mendja; fjalëshumë e punëpakë. Pesha e puplës sport., vjet. shih te PESH/Ë, ~A 9.