mbi

Nga Wiktionary
Shko tek: lundrim, kërko

MBI- fjalëform.

  • 1. Përdoret si parashtesë për të formuar emra, mbiemra e folje që shënojnë: 1. Send, dukuri, cilësi, veprim etj. që është, që lëviz a që zhvillohet sipër diçkaje, në sipërfaqen ose në pjesën e sipërme të saj; p.sh. mbibishtëz, i mbidheshëm, mbifushë, mbikalim, mbikrah, mbilëkurë, mbishartesë, mbishkrim, mbishkruaj, mbitokësor, i mbiujshëm, mbivetull etj.
  • 2. Send, dukuri, cilësi, veprim etj. që i shtohet diçkaje tjetër dhe e rrit atë; p.sh. mbiharxhim, mbishtesë, mbishtresë, mbishtresohet, mbitaksë etj.
  • 3. Send, dukuri, cilësi, veprim etj. që qëndron sipër të tjerëve, ngrihet më lart se ata ose i kapërcen ata; p.sh. mbidialektor, mbiklasor, i mbinatyrshëm, mbinjeri, mbinjerëzor, mbisundon, mbishtetëror etj.
  • 4. Send, dukuri, cilësi, veprim etj. që ka përmasa më të mëdha a forcë më të madhe se të tjerët ose që është në sasi më të madhe se zakonisht; p.sh. mbiçmoj, i mbifuqishëm, mbingacmim, mbingopje, mbingroh, i mbinxehur, mbivlerësoj etj.
  • 5. Send, dukuri, cilësi, veprim etj. që del nga një tjetër, që lidhet a ka të bëjë me të etj.; p.sh. mbiemër, mbiemëroj, mbifitim, mbijetoj, mbikëqyr, mbikohë, mbipunë, i mbiquajtur, mbivlerë etj.


MBI parafj.

  • 1. Përdoret me një emër ose përemër në rasën kallëzore, që shënon: 1. Sendin, vendin etj., në sipërfaqen e të cilit ndodhet ose lëviz dikush a diçka, bëhet ose zhvillohet diçka; sipër në; kund. nën. Vë mbi tryezë. Ra mbi gurë. Shtrihem mbi rërë. Rrëshqet mbi akull. Hipi mbi pemë (mbi mur, mbi çati). Vë mbi kokë. U ul mbi një trung. E mori mbi shpinë. U përhap mbi dysheme. Doli mbi ujë. I doli djersa mbi këmishë. Mos shkelni mbi bar!
  • 2. Sendin, vendin etj., në hapësirën sipër të cilit ndodhet ose lëviz dikush a diçka, kryhet një veprim etj.; përmbi; kund. nën. Një pëllëmbë mbi kokë. Pak mbi shtyllën e sipërme. Urë mbi lumë. Dyqind metra mbi tokë. Fluturoi mbi det (mbi qytet). I kaloi mbi kokë. U ngjit mbi re. Llamba varej mbi tryezë.
  • 3. Dikë, kundër të cilit veprojmë ose një vend, drejt të cilit hidhemi. U hodhën mbi armikun (mbi kundërshtarin). U sulën mbi tankun gjerman. U turrën (u sulën) mbi kështjellë (mbi qytet). Qentë u lëshuan mbi ujkun. Të gjithë mbi ta!
  • 4. libr. shih PËR (përdoret zakonisht në tituj veprash shkencore, publicistike etj.). Mbi bazat e leninizmit. Mbi zhvillimin e bujqësisë. Mbi arsimin dhe kulturën. Mbi përdorimin e bimëve mjekësore.
  • 5. (edhe me një numëror). Cakun, njësinë, gjendjen a diçka tjetër që merret si pikënisje, si masë, si kufi etj. ose sipër së cilës është a kryhet diçka; më shumë se...; kund. nën. Zotime mbi planin (mbi normën). Dhjetë përqind mbi mesataren. Dy gradë mbi zero. Një ton mbi ngarkesën e zakonshme. Zotime mbi detyrën. Erdhën mbi njëqind. E shkroi mbi katër herë. Ishte mbi moshën e caktuar.
  • 6. Dikë a diçka që është nën një tjetër ose diçka sipër, përtej a jashtë së cilës bëhet një punë, krijohet një gjendje e re etj. Vë interesin e përgjithshëm mbi gjithçka. Mbi të gjithë donte nënën. Nuk vë njeri mbi të. E vinte veten mbi të tjerët (mbi masat). Thonë se qëndrojnë mbi klasat (mbi blloqet, mbi shtetin). Mbi të gjitha... para së gjithash ...
  • 7. libr. Diçka që shërben si themel, drejtim a pikënisje për një veprim të mëtejshëm; në bazë të... Mbi bazën e vendimeve (e udhëzimeve, e parimeve). Mbi propozimin e kryetarit. Mbi bazën e tetëvjeçares. Mbi këtë bazë... (mbi këtë pikë...).
  • 8. (me një emër që përsëritet). Një shkallë të lartë të cilësisë a të gjendjes që shprehet nga emri; shumë, tepër. Trim mbi trima shumë trim, kryetrim. Mbledhje mbi mbledhje shumë mbledhje. Halle mbi halle shumë halle. Borxhe mbi borxhe shumë borxhe. Pengesa mbi pengesa shumë pengesa.
  • 9. Sendin që shërben si objekt i veprimit tonë. Rri gjithë ditën mbi libra.