gjarpër

Nga Wiktionary
Shko tek: lundrim, kërko

GJARPËR m.

  • 1. zool. Zvarranik pa këmbë, me trup të gjatë, të lakueshëm e dredhues, me lëkurë me luspa, që ka dhëmbë me helm ose që i mbështillet gjahut rretheqark dhe e shtrëngon. Gjarpër i madh (i gjatë). Gjarpër helmues. Gjarpër i verbër. Gjarpër me pika. Gjarpër uji (deti). Gjarpër guri. Gjarpër me syze (me gjyzlykë) kobra. Gjarpër me zile gjarpër helmues, që ka në fund të bishtit një hapësirë konike, me të cilën bën një zhurmë tingëlluese. Lëkurë gjarpri. Helmi i gjarprit. E pickoi (e kafshoi, e hëngri) gjarpri. E zuri gjarpri. Përdridhet (rrëshqet) si gjarpër.
  • 2. fig. përçm., shar. Njeri i keq e i pabesë; armik dinak. Mos i zër besë gjarprit!
  • 3. fig. Njeri shumë i shkathët, shumë i gjallë; trim. Gjarpër i gjallë është.
  • Si besa e gjarprit zotim (premtim) i tillë që nuk i duhet besuar kurrë. Gjumë gjarpri gjumë i thellë e i rëndë. Si këmbët e gjarprit thuhet për diçka që nuk duket, që është e fshehtë a e padukshme. Përpiqet si gjarpër mundohet shumë, jep e merr në të gjitha anët, përpiqet me mënyra të ndryshme. Shkeli mbi gjarpinj i dolën telashe e kokëçarje të mëdha; gjeti belanë. E zuri gjarpri i ra një e keqe e madhe, i ndodhi një fatkeqësi. Gjarpër me dy koka armik shumë i rrezikshëm. Gjarprit shtypi kokën! fj. u. për armikun mos ki mëshirë, armikun shfarose! E hëngri gjarpri me dy koka e gjeti një e keqe e madhe. Hoqi bishtin e gjarprit (u mundua për bisht të gjarprit) shih te BISHT, ~I. Heq (vuan) si gjarpri nën gur (si miu në mur) vuan shumë, është në hall të madh. Mbaj (rrit) gjarprin në gji kujdesem për një njeri, i cili më vonë me pabesi ma shpërblen të mirën me të keqe. Ka pirë lëngun e gjarprit prej dikujt shih te LËN/G,~GU. Mos e trazo (mos e prek) gjarprin në bisht! ruaju nga armiku edhe atëherë kur të duket se nuk është i rrezikshëm! Nuk i tregon gjarpri (bolla) këmbët fj. u. njeriu i lig a armiku mundohet t'i fshehë synimet a qëllimet e këqija, është fsheharak. Prej ujkut ra në gjarpër shpëtoi nga një e keqe dhe ra në një tjetër akoma më të madhe, ra nga shiu në breshër. Bar gjarpri bot. shih te BAR,~I I. Kërpudhë gjarpri bot. shih te KËRPUDH/Ë,~A. Lule gjarpri bot. shih te LUL/E,~JA. Presh gjarpri (i egër) bot. shih te PRESH,~I. Qepë gjarpri bot. xhërrokull. Rrush gjarpri bot. shih te RRUSH, ~I.