dritare

Nga Wiktionary

DRITARE f.

1. Pjesë e hapur në murin e një ndërtese, në vagonët e trenit, në kabinat e anijeve etj., nga e cila hyn drita dhe ajri ose nëpërmjet së cilës shohim jashtë; korniza me xhame që mbyll këtë të hapur. Dritare të mëdha (të vogla). Dritare katrore (katërkëndëshe, të rrumbullakëta). Dritaret e automobilit (e trenit...). Dritarja e vendstrehimit. Xhamet e dritares. Kanatet (fletët) e dritares. Pezuli i dritares. Perdet e dritares. Dhomë me dy dritare. Hap (mbyll) dritaren. Rri (del) në dritare. Shikon nga dritarja. Nxori kokën nga dritarja. E hodhi (e flaku) jashtë nga dritarja.

2. shih DRITAREZ,~A 2. Shkoi në dritare. I mori gjellët nga dritarja.

3. fig. Dalje në det, nëpërmjet së cilës një vend mund të lidhet drejtpërdrejt me një vend tjetër. Nuk ka dritare në det.

4. fig. Diçka që të lidh me botën e jashtme, që të hap e të zhvillon horizontin e dijes etj. Çdo libër i mirë është një dritare për të parë botën.

5. bised. Pak kohë e lirë në mes të orarit të punës; orë e lirë midis mësimeve në shkollë; një orë pushimi në orarin e ditës së mësimeve. Ka një dritare të hënën.

  • Është qeli pa dritare (qeli e mbyllur) dikush shih te QELI,~A. E nxorën nga dera, hyri nga dritarja (nga deriçka) shih te DER/Ë,~A.