zbut

Nga Wiktionary

ZBUT kal.

  • 1. E bëj të butë në të prekur, i heq ashpërsinë; e bëj më të butë një gjë të fortë a të thatë, zakonisht duke e njomur me një lëng, e bëj si brumë, e zbruj; e bëj të butë një metal a diçka tjetër, duke e nxehur në zjarr, që të përpunohet lehtë. Zbut pëlhurën (shajakun, lëkurat). Zbut bukën (koret) në qumësht. Zbut llaçin. Shiu e zbuti tokën. Zbut me nxehtësi. Zbut dyllin në zjarr. Zbut telin. Kremi ta zbut lëkurën. Qumështi ia zbuti fytin. Ia zbuti plagën me melhem.
  • 2. E bëj pak të butë e të njomë duke e spërkatur me ujë; spërkat. I zbuti rrobat para se t'i hekuroste. Zbuti duhanin para se ta grinte.
  • 3. E bëj më të këndshëm e më të pëlqyeshëm për veshin a për syrin; e bëj të shtruar e të ëmbël, i heq vrazhdësinë; ia ul forcën, e bëj më pak të ashpër. Zbut zërin. Zbut dritën. Zbut ngjyrat. Zbut zhurmat.
  • 4. fig. I ul forcën diçkaje; e bëj më pak të ashpër; pakësoj dallimet ndërmjet gjërave të ndryshme. E zbuti muhabetin. Ia zbuti zemërimin. E zbuti kritikën (dënimin). Nuk e zbutim luftën e klasave. Zbut dhembjen (hidhërimin, shqetësimin). Zbut shpërpjesëtimet (dallimet). I zbuti grindjet (mosmarrëveshjet).
  • 5. E kthej nga gjendja e egër në gjendje të butë, e bëj shtëpiak që t'i shërbejë njeriut, e mësoj që të rritet e të jetojë bashkë me njeriun (për kafshët e egra); e bëj të butë një dru të egër, duke e shartuar. Zbutën kafshët e egra. E zbuti ariun (tigrin). Zbut kumbullën (dardhën, mollën).
  • 6. E bëj të urtë, të shtruar e të dashur, e bëj të arsyeshëm e të bindur; i heq zemërimin, e qetësoj, e bëj dashamirës. E zbuti shokun. Është zbutur fare. E zbuti me fjalë të mira. Atë s'e zbut gjë.
  • 7. E bëj më pak të pjerrët; e bëj të ketë një sipërfaqe më të sheshtë, e sheshoj. Zbut rrugën (pjerrësinë, faqen e kodrës). I zbutën tokat djerr.
  • 8. vet. veta III. E bën më të ngrohtë, e bën më pak të ashpër, e bën më të mirë (për kohën, për klimën etj.). Shiu e ka zbutur kohën. Pyjet e zbutin klimën.
  • 9. Ia ul gradën, ia ul fortësinë duke i futur ujë, e bëj më të butë (për pijet alkoolike); ia heq një pjesë të kripërave minerale (për ujin). Zbut rakinë (uzon, verën). Zbut ujin.
  • I zbuti (i shoi, i ftohu, i uli, i shtroi) gjakrat shih te GJAK,~U I. Ia zbuti kurrizin (shpinën, brinjët) keq. e rrahu fort, e rrahu keq, e rrahu mirë e mirë. Ia zbuti (ia uli) zërin shih tek UL.