vdekje
Appearance
VDEKJE f.
- 1. Ndalimi i veprimtarisë jetësore të organizmit të njeriut, ndërprerja përgjithnjë e shkëmbimit biologjik të lëndëve në organizëm a në një pjesë të tij; mbarim a fundi i jetës së njeriut. Vdekje klinike (fiziologjike, natyrore). Vdekje e papritur (e parakohshme). Vdekje e hidhur (e rëndë, tragjike). Vdekja e një indi (e një qelize). Grahmat (ngërçet) e vdekjes. Në shtratin e vdekjes. Shkaku i vdekjes. Rrezik vdekjeje! U botua pas vdekjes. Sjell (shkakton) vdekjen; I erdhi vdekja. Gjeti vdekjen vdiq. E pret vdekja. Gjumi është vëllai i vdekjes. fj.u.
- 2. Dënimi me vrasje a me varje. E dënuan me vdekje.
- 3. bised. Çdo rast kur dikush vdes. Numri i vdekjeve. Vdekjet dhe lindjet. Shkoi për ngushëllim në një vdekje. Vdekjet janë më të pakta se lindjet. S'pati asnjë vdekje.
- 4. Dhënia e jetës, flijimi i jetës për një çështje të lartë. Vdekje heroike. Vdekja për atdhe.
- 5. Vrasje e shkatërrim; asgjësimi i jetës njerëzore. Kampi nazist i vdekjes. Fashistët kudo sillnin (mbillnin) vdekjen.
- 6. fig. Fundi, mbarimi a shkatërrimi i dikujt ose i diçkaje. Vdekje fashizmit! Vdekje kapitalizmit! Vdekje tiranit!
- Deri në vdekje deri në fund të jetës; përgjithnjë. Për vdekje
- a) i papajtueshëm; i betuar (për armikun);
- b) jashtëzakonisht, shumë, tepër (kur urrejmë dikë, kur zemërohemi me dikë etj.);
- c) shumë rëndë (kur lodhemi shumë); pa shërim (kur sëmuret dikush). Si vdekja me çdo kusht; patjetër, domosdo (për diçka që do ta bëjmë a që pritet të ndodhë). Gjumi i vdekjes humbja e ndjenjave dhe rënia e njeriut si në gjumë para vdekjes. E kam vdekje dikë a diçka më mërzit shumë, nuk e duroj dot, e urrej; nuk e shoh dot me sy. Për jetë a për vdekje shih te JET/Ë,~A 2. Në kthetrat e vdekjes në çastet e fundit të jetës; në shkatërrim e sipër. I ruhet si vdekjes ka shumë frikë nga diçka a nga dikush, trembet shumë. E bën vdekjen si të lindë nuk i trembet vdekjes, është trim. I ra çehrja e vdekjes u zverdh, u zbeh shumë, u bë baltë në fytyrë. Ra kambana (ora) e vdekjes për dikë a për diçka i erdhi fundi, i erdhi shkatërrimi. Çështje jete a vdekjeje shih te JET/Ë,~A. I dolën djersët e vdekjes (e mortjes) shih te MORTJ/E,~A. Fle gjumin e vdekjes (gjumin e madh, të madhin) euf., mospërf. shih te FLE. Është në fill të vdekjes është në buzë të varrit. Është (përpëlitet) në shtratin e vdekjes është duke vdekur; është në shkatërrim e sipër, i erdhi fundi. Hedh vallen e vdekjes është në çastet e fundit të jetës, është në kthetrat e vdekjes; është në shkatërrim e sipër, i erdhi fundi. E ka vdekjen për sy shih te SY,~RI. E pa vdekjen me sy shih te SHOH. Vajti (shkoi) në fill të vdekjes sa s'vdiq. Vdekja e zezë mjek epidemia e murtajës që shpërtheu në Evropë në shekullin e katërmbëdhjetë; murtajë.