shkëputem

Nga Wiktionary

SHKËPUTEM vetv.

  • 1. vet. veta III. Ndahet, zakonisht shpejt, nga e tëra dhe bie poshtë a lëviz në një drejtim të caktuar; ikën menjëherë nga vendi i tij duke lëvizur me shpejtësi. U shkëput një gur nga mali. U shkëput një shkëndijë. U shkëput një yll. Shkëputën elektronet. fiz. Aeroplani u shkëput nga pista (nga toka). Mendohet se Hëna është shkëputur nga Toka.
  • 2. Largohem nga dikush duke shkuar pak më tej, ndahem. Nuk shkëputej nga e ëma s'i ndahej s'ëmës. U përqafuan e nuk shkëputeshin dot nga njëri-tjetri.
  • 3. Largohem, ndahem nga dikush a nga diçka, duke u bërë i huaj për të; pres lidhjet a marrëdhëniet me dikë a me diçka, dal nga një shoqëri, nga një organizatë, nga një sistem etj.; dal më vete, fitoj mëvetësinë. Të mos shkëputemi nga jeta (nga realiteti, nga masat, nga kolektivi). U shkëput nga familja. U shkëput nga feja (nga idealizmi). U shkëput nga Balli Kombëtar. U shkëput nga sistemi kolonial (nga sistemi kapitalist). Përpjekjet e rilindësve për t'u shkëputur nga Turqia.
  • 4. Lirohem, iki, shpëtoj (duke këputur litarin a zinxhirin ose duke u çliruar nga duart e dikujt që më ka kapur). Iu shkëput nga duart. U shkëput qeni nga zinxhiri.
  • 5. Ua kaloj shokëve dhe dal përpara (në një garë a në një ndeshje sportive); fitoj më shumë pikë se kundërshtari a kundërshtarët dhe i lë mjaft prapa në klasifikim. Çiklisti u shkëput nga grupi.
  • 6. Mbetem pas nga shokët a nga ata me të cilët kam qenë bashkë; ndahem nga një grup, largohem a humbas lidhjen, mbetem vetëm. U shkëput nga brigada. U shkëput nga kopeja. Mos u shkëput nga shokët!
  • 7. Ndërpres përkohësisht a përgjithnjë një punë ose një veprimtari; largohem për një kohë të shkurtër nga një vend a nga një punë për të shkuar diku. Shkëputem nga puna (nga shkolla). Shkëputem nga arsimi. Shkëputu ndonjë ditë dhe eja!
  • 8. Pës. e SHKËPUT 1,3,5-7.