rrëzoj

Nga Wiktionary

RREZOJ jokal.

  • 1. vet. veta III. Lëshon a përhap rreze, ndrit me rreze. Rrezon dielli (hëna).
  • 2. vet. veta III fig. Shkëlqen, ndrit si rreze. I rrezon fytyra.
  • 3. kal. Ndriçoj me rreze diçka; e vë nën veprimin e rrezeve të diçkaje; e vë nën rrezet e diellit, e nxjerr në diell, e lë a e vë të marrë një rreze diell. Dielli rrezon kreshtat. E rrezojnë grurin (niseshtenë) disa ditë me radhë.

RRËZOJ kal.

  • 1. Shtyj ose godas me forcë dikë a diçka që është në këmbë dhe e bëj të bjerë përdhe, hedh poshtë; shemb përdhe; kund. ngre. Rrëzoi një fëmijë. Rrëzoi murin (gardhin). Rrëzoi një shtëpi (një ndërtesë). Rrëzoj kundërshtarin (lojtarin). E rrëzoi përdhe (në tokë, në dysheme). E rrëzuan pyllin i prenë drurët e pyllit, e prenë pyllin. E rrëzoi me një të goditur. I rrëzoi tërmeti. E rrëzoi grurin (misrin) era. Ngadalë, se na rrëzove! Rrëzojnë shkëmbin (mineralin). min. copëtojnë shkëmbin (mineralin) për ta nxjerrë.
  • 2. E bëj të bjerë poshtë dikë a diçka që është në një vend të lartë, e hedh a e lëshoj nga një vend i lartë, e heq a e këput nga vendi që të bjerë përdhe; gremis. E rrëzoi nga muri (nga shkallët). E rrëzoi nga karroca (nga makina). E rrëzoi kali (mushka). Rrëzojnë gurë nga mali. E rrëzoi në hendek (në gropë, në greminë). Era i rrëzoi gjethet. I rrëzoi kokrrat me shkop.
  • 3. Bëj që të bjerë në tokë diçka që është në ajër a që fluturon. Rrëzuan një aeroplan (një helikopter). Rrëzuan një raketë.
  • 4. fig. Përmbys me forcë dikë a diçka, bëj që të bjerë nga fuqia, i heq pushtetin ose e largoj nga një vend që kishte zënë a ku e kishin zgjedhur; heq. E rrëzuan mbretin (monarkinë). E rrëzuan senatin. E rrëzuan nga froni. E rrëzuan me kryengritje (me revolucion).
  • 5. fig. Hedh poshtë një mendim, ide etj., nuk e pranoj, tregoj që diçka është e padrejtë, e gabuar, e papranueshme ose pa vlerë; e kundërshtoj, e mohoj. Rrëzoj një mendim (një ide, një koncept, një tezë). Rrëzoj kërkesën e padisë. drejt. Rrëzoj vendimin. Rrëzoj një vepër (një roman). I rrëzoi koha.
  • 6. vet. veta III. Nuk e mban, e lë të bjerë, e lëshon. I rrëzon gjethet në dimër. Molla i rrëzoi kokrrat.
  • 7. vet. veta III. Bën që të hiqet a të bjerë nga vendi i zakonshëm, shtie (për flokët, dhëmbët etj. nga një sëmundje). Ia rrëzoi sëmundja flokët (dhëmbët).
  • 8. vet. veta III. E bën të humbasë fuqinë a shëndetin; e ligështon, e dobëson; e vë poshtë. Sëmundja e rrëzoi shpejt. E rrëzoi pleqëria. E rrëzuan hallet (vështirësitë). I rrëzoi trupin.
  • 9. fig. Tregoj që dikush nuk ka vlerë ose merita, e ul poshtë, cenoj. I rrëzoi autoritetin. I rrëzoi nderin. I rrëzoi fytyrën.
  • 10. bised. I vë notë pakaluese, nuk e lë të kalojë (në provim). E rrëzoi në provim. E rrëzoi në aritmetikë (në gjuhë).
  • 11. bised. E ul poshtë, e zbres nga një vend më i lartë në një më të ulët. E rrëzoi mallin nga raftet. I rrëzuan dhitë nga mali.
  • 12. I ul vlerën, i pakësoj madhësinë; zbres, heq. I rrëzoi notën nxënësit. I rrëzoj çmimin. Ia rrëzoj në qira.
  • 13. jokal. det. Ndërron drejtimin e lundrimit barka ose anija nga era, nga rryma etj. Po rrëzon barka.
  • E rrëzoi (e hodhi) me një gisht shih te GISHT,~I. I rrëzoi këmbët dikujt e lodhi shumë, e bëri të ecte poshtë e përpjetë sa u këput. Rrëzon (shemb) malet dikush shih te SHEMB. E rrëzuan (e zbritën) nga piedestali dikë libr. shih te PIEDESTAL,~I. E rrëzoi (e hodhi) në pluhur dikë a diçka shih te PLUHUR,~I. E rrëzoi (e la) pykë shih te PYK/Ë,~A. Një dru e shtrembër rrëzon (prish) gjithë stavën fj. u. shih te STAV/Ë,~A.