luftoj

Nga Wiktionary

LUFTOJ jokal.

  • 1. Ndeshem me armë me armikun, bëj luftë, marr pjesë në luftë ose në një luftim. Luftuan me armë (me pushkë, me shpatë). Luftuam kundër pushtuesve e tradhtarëve të vendit. Luftoi si trim (si luan). Luftoi dhëmb për dhëmb me armikun. Luftoi deri në pikën e fundit të gjakut.
  • 2. edhe kal. Ndeshem me ashpërsi me një sistem, klasë, grup shoqëror a parti tjetër që është kundër meje dhe përpiqem me të gjitha mjetet ta thyej e ta mposht; zhvilloj veprimtari lodhëse e të pandërprerë për të mposhtur e për të asgjësuar kundërshtarin, veprimtarinë e tij dhe gjithçka që i shërben atij. E lufton politikisht (ideologjikisht, ekonomikisht). Luftojmë kundër imperializmit.
  • 3. edhe kal. Përpiqem me këmbëngulje të mënjanoj a të parandaloj, të çrrënjos a të asgjësoj diçka të dëmshme ose të kapërcej pasojat e rënda të diçkaje. Luftojmë kundër fesë (kundër zakoneve prapanike). Luftojmë kundër shfaqjeve të huaja (kundër veseve të këqija). Luftojmë kundër thatësirës. Luftojmë sëmundjet ngjitëse. Luftojmë mushkonjat (mizat, dëmtuesit e pemëve).
  • 4. Përleshem trup më trup me dikë tjetër për ta mposhtur ose për ta asgjësuar. Luftoi një me pesë.
  • 5. kal. fig. Përpiqem me mënyra të ndryshme t'i bëj keq dikujt dhe ta dëmtoj sa më shumë. E luftonte shumë ai. E luftonte pa të drejtë.
  • 6. vet. veta III. Ballafaqohet e ndeshet me diçka të kundërt e përpiqet ta mposhtë atë. Lufton e reja me të vjetrën. Lufton e mira me të keqen (e drejta me të padrejtën, e përparuara me të prapambeturën). Lufton jeta me vdekjen.
  • 7. fig. Përpiqem shumë e pa ndërprerje për t'ia arritur patjetër një qëllimi, duke kapërcyer me guxim vështirësitë e pengesat. Luftojmë për ndërtimin e socializmit (për fitoren e së resë). Luftojnë për shtimin e prodhimit (për përmirësimin e cilësisë). Luftonin për një jetë më të mirë (për një çështje të drejtë, për të drejta të barabarta). Luftojmë për ngadhënjimin e revolucionit në gjithë botën. Luftuan me pushkë e me penë. Kush s'lufton, nuk fiton. fj. u.
  • 8. vet. veta III. Rreh shumë e shpejt (për zemrën); dhemb thellë (për plagën). I lufton zemra. I lufton plaga.
  • I lufton gjaku (zemra) ndizet shumë e merr hov për të bërë diçka, i rreh fort zemra për diçka.