duroj

Nga Wiktionary

DUROJ kal.

1. edhe jokal. I përballoj dhe i kaloj vështirësitë, dhembjet, shqetësimet, vuajtjet, fatkeqësitë etj. i qetë e gjakftohtë, pa u ankuar e pa u ligështuar; i bëj ballë a i qëndroj një ndikimi, një veprimi ose një ngacmimi të jashtëm; jam në gjendje të mposht një dëshirë, një nevojë, një kërkesë të organizmit që më tundon a më mundon. I duroi dhembjet (vuajtjet, fatkeqësitë). E duroi etjen (urinë). E duron të ftohtët (të nxehtët, vapën). I duroi torturat. Duroi pa ngrënë (pa pirë). S'e duroi dot lodhjen (pagjumësinë). S'e duron dot dritën (pluhurin). Duronte nga e keqja. Duroi disa ditë pa bukë. Duroi gjithë rrugën pa ujë. Duroi shumë. S'duron fare.

2. jokal. Kam durim, nuk ngutem, nuk rrëmbehem, përmbahem. S'duroi pa folur (pa pyetur).

3. jokal. Pres dikë a diçka i qetë për një kohë të gjatë; pres me durim. Duro, se do të të vijë radha! Do të durojmë sa të vijë edhe ai.

4. Pranoj një gjendje të caktuar, mësohem a pajtohem me një gjendje ose me diçka tjetër të papëlqyeshme, të keqe, të rëndë, të mërzitshme etj.; (zakon. me pjesëzën mohuese «s», ore «nuk» dhe me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. kallëzore) s'më pëlqen dikush a diçka, më ngjall neveri ose me mërzit, nuk e shoh dot me sy; s'pajtohem me të dhe e luftoj. Si e duron atë gjendje! S'i duron dot çrregullimet (shthurjet). Nuk i duron dot fjalët (shakatë) e rënda. S'e duron turpin. S'e duruan zgjedhën (robërinë). S'e duroj dot atë njeri. S'e durojmë armikun në vatër.

5. vet. veta III (zakon. me pjesëzën mohuese «s» ose «nuk» dhe me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore). Nuk e pëlqen, nuk e pranon, mezi e tret a nuk e tret dot; më prish a më dëmton, më bie rëndë (për ushqime, për pije etj.). S'ia duron stomaku turshitë. S'ma duron organizmi.

6. edhe jokal. vet. veta III. U qëndron kushteve a veprimeve të jashtme pa u dëmtuar, pa u prishur, pa humbur vetitë a cilësitë (për sendet, lëndët e ndryshme etj.); qëndron për një kohë të gjatë në gjendje të mirë, është shumë i qëndrueshëm, rron (për bimët, perimet, frutat). I duron goditjet. E duron të nxehtët (të ftohtët, lagështirën, thatësirën). Ky tel duron shumë. Ky lloj druri duron shumë (gjatë). Mollët durojnë deri në dimër. Qershitë (fiqtë) s'durojnë shumë.

7. jokal. vet. veta III. Mund të shtyhet për më vonë, nuk është i ngutshëm, pret. Duron kjo punë (kjo çështje). S'duron me gjatë.

  • Duro të durojmë! thuhet kur duhet të durojmë shumë, të mos ligështohemi e të mos përkulemi përpara vështirësive, fatkeqësive, kushteve shumë të rënda etj. Nuk e duron litarin në fyt shih te LITAR,~I. S'e duron (s'e mban) as qielli, as dheu (as toka) shih te QIELL,~I. Duro zemër e mos plas! thuhet kur na bie një fatkeqësi shumë e rëndë dhe s'kemi ç'të bëjmë.