ziej

Nga Wiktionary

ZIEJ kal.

  • 1. edhe jokal. Nxeh ujë ose një lëng tjetër në një enë derisa të marrë valë, bëj që të valojë një lëng duke e nxehur; vet. veta III. merr valë uji a një lëng tjetër pasi është nxehur shumë. Zjeu ujin (qumështin). Zjeu një tenxhere me ujë. Zjeu raki nxori raki me kazanin e rakisë. Zjeu uji (qumështi).
  • 2. edhe jokal. Valoj diçka në ujë ose në një lëng tjetër për ta bërë gjellë, për ta zbutur, për ta pastruar etj.; vet. veta III valon diçka në ujë ose në një lëng tjetër. Zjeu mishin (fasulet). Zjeu një vezë. Zjeu rrobat. Zjeu eshkën. E ka zier shumë. E zjeu në tenxhere. E zien ngadalë. Zjeu gjella (mishi, orizi). Zieni rrobat.
  • 3. jokal. vet. veta III. Tharmëtohet, tharbëtohet. Po zien vera. Po ziejnë bërsitë. Zien ndër vete.
  • 4. jokal. vet. veta III. Më ngjethet e më shpon trupi a një pjesë e trupit, më bëhet miza-miza. I ziejnë këmbët nga lodhja. I ziente krahu (trupi).
  • 5. jokal. vet. veta III. Më bën një zhurmë shqetësuese, më buçet (veshi etj.). I ziejnë veshët. I ziejnë trutë.
  • 6. jokal. vet. veta III fig. Ka gjallëri e vlon nga njerëzit, nga lëvizjet, nga zhurmat etj.; gumëzhin; është i mbushur plot me njerëz, me kafshë etj., që lëvizin shpejt, plot zhurmë e në mënyrë të çrregullt. Zien vendi (sheshi). Zienin malet nga partizanët. Ziente kantieri nga puna (rruga nga makinat). Ziente shtëpia nga këngët. Ziente turma.
  • 7. jokal. vet. veta III fig. Bëhet me shumë gjallëri, kryhet me vrull (një punë, një veprimtari etj.); vlon. Zien puna. Zien kënga. Zien jeta. Ziente lufta. Ziejnë diskutimet. Diçka po zien këtu diçka po përgatitet, diçka po ndodh.
  • 8. jokal. fig. Zhvillohet me forcë, me gjallëri e në mënyrë të stuhishme, shfaqet në mënyrë të papërmbajtshme (një ndjenjë, një mendim etj.); vloj për brenda sa mezi e mbaj veten. I zien dashuria (urrejtja) në zemër. I zienin në kokë mendimet (dyshimet). Ziente nga zemërimi. Ziente nga dëshira. Ai po ziente përbrenda. Ziente me vete.
  • I zien (i vlon, i lëvrin) gjaku shih te GJAK,~U I. Zien kazani shih te KAZAN,~I. Zien si kazan shih te KAZAN,~I. Ziejnë në një kazan janë të gjithë njëlloj. Nuk kanë ndonjë dallim nga njëri-tjetri. I zien koka ka shumë punë, shqetësime, halle etj. e s'di nga t'ia mbajë. I zien (i digjet) toka (trualli) nën këmbë shih te DIGJEM.