vaj

Nga Wiktionary
Shko tek: lundrim, kërko

VAJ I m.

  • 1. Lëng i trashë dhe i yndyrshëm, më i lehtë se uji, që nxirret prej farave a prej kokrrave të disa bimëve (si luledielli, ulliri, kikiriku, etj.), prej bimësh të veçanta, prej disa kafshësh ose nga përpunimi i disa mineraleve e i naftës dhe që përdoret për ushqim, në industri, në mjekësi etj. Vaj i pastër (i kulluar). Vaj i mirë vaj ulliri. Vaj i trashë. bised. vaj recini. Vaj i djegur. tek. vaj makinash i përpunuar. Vaj ulliri (kikiriku, luledielli, misri). Vaj peshku. Vaj balene. Vaj recini. Vaj arrash (bajamesh). Vaj liri (dafine, dëllinje). Vaj makinash. Vaj flokësh. Vaj plazhi. Vaj pushke vaj që përdoret për të pastruar pushkët, automatikët etj. dhe për të lyer pjesët metalike të tyre që të mos ndryshken. Bojë vaji bojë e shkrirë në një lëng të tillë. Fabrikë (mulli) vaji. Ngjyrë vaji. Fërgoj (skuq) me vaj.
  • 2. vet. Lloje të ndryshme të këtyre lëngjeve. Vajra bimore (shtazore). Vajra aromatike. Vajra minerale.
  • 3. përmb. Bojëra në ngjyra të ndryshme, që përpunohen me lëngje të tilla dhe që përdoren për pikturë. Pikturë në vaj.
  • 4. përd. mb. Shumë i qetë, pa dallgë (për detin, liqenin); i shtruar, i bindur; i qetë (për njerëzit). Ishte bërë deti vaj. U shtrua, u bë vaj.
  • 5. përd. ndajf. Mirë, pa ndonjë vështirësi, pa pengesa, lehtë; qetë. Ecën vaj puna. Diskutimi (mbledhja) shkoi vaj.
  • E ka vaj (grurë, dhjamë) me dikë shih te GRURI/Ë,~I. I nxori vaj dikujt e lodhi shumë, e stërmundoi. Shkon (ecën) si në vaj shkon mirë, pa asnjë vështirësi e pengesë. E vuri në vaj
  • a) diçka e vuri në rregull, e rregulloi;
  • b) dikë e qetësoi, e shtroi. I bën petullat pa vaj (me ujë) shih tek UJ/Ë,~I. E bëri për vaj e për uthull dikë
  • a) e rrahu shumë;
  • b) e qortoi ashpër. Doli si vaji mbi ujë doli pa faj, i shfajësuar; doli i fituar. S'del vaj nga guri fj.u. thuhet kur është e pamundur të bëhet diçka. U derdh vaji, s'mblidhet më fj.u. thuhet për një punë a për një veprim të gabuar që bëhet dhe nuk mund të ndreqet më. U derdh vaji në uthull (u derdh vaji e ra në uthull) shih tek UTHULL,~A. S'hahet as me vaj, as me uthull, nuk mund të pranohet a të durohet, nuk shkon fare. Është hapur si vaji në lakra (në ujë)
  • a) flet a lëviz pa drojtje e pa u matur mirë, e tepron duke u sjellë kudo si në shtëpi të vet;
  • b) është hapur shumë shpejt e në të gjitha anët. E ka (shkon, është) gjalpë e vaj me dikë shih te GJALP/Ë,~I. Nxjerr (qit) vaj (mjaltë, ujë) nga guri dikush është shumë i zoti, bën të pamundurën, nxjerr dhjamë nga pleshti. I rrahur (i regjur) me vaj e me uthull që ka shumë përvojë, që e njeh mirë jetën, i regjur në jetë, që ka provuar të mira e të këqija. Vaji në lakra bie fj.u. shih te BIE I. E drejta rri si vaji mbi ujë fj.u. shih te DREJT/Ë,~A (e). Humbi në vaj e fitoi në presh fj.u. më shumë humbi se fitoi, s'fitoi gjë. I rri punës përsipër si vaji mbi uthull shih tek UTHULL,~A. Vaj e verë e uthull bised. ylberi.

VAJ II m.

  • 1. Britma a ulërima të zgjatura, që lëshon dikush në rast vdekjeje a kur i ndodh ndonjë fatkeqësi tjetër; kujë. Vaj i thekshëm. Plasi vaji. Lëshoi vajin.
  • 2. Të qarët me ligje në rast vdekjeje, vajtim; fjalët që thuhen gjatë vajtimit, ligje; vet. vjet. këngë popullore, që këndoheshin në raste vdekjesh dhe që shprehnin hidhërim e dhembje të thellë. Vaji i grave. Këngë vaji. Nisi (filloi, hapi) vajin. Pushoi (ndali) vajin. E qante me vaje. Bëri vaj për dikë e qau me ligje.
  • 3. Të qarët. Më vjen vaj. Ia dha (ia plasi, ia shkrepi) vajit. Shpërtheu në vaj. U shkri në vaj. Është gati për vaj. E mori vaji kur e pa ashtu.
  • 4. Fatkeqësi e madhe, mynxyrë, gjëmë; pikëllim. Vaj i madh (i kobshëm). I gjeti një vaj.
  • Bëj vaj ankohem, qahem për diçka. E ka vajin në buzë dikush ankohet vazhdimisht, gjithnjë qahet. Mbeti me vaj në buzë dikush.
  • a) mbeti duke qarë; s'iu ndanë fatkeqësitë;
  • b) s'pushon së ankuari.

VAJ pasth. bised.

  • Përdoret për të shprehur një hidhërim të thellë, dhembje e keqardhje të madhe, me kuptimin «mjerë!». Vaj i shkreti! Vaj për ty! (për të!) Vaj halli! na gjeti e keqja!, s'dimë si t'ia bëjmë! Vaj, vaj!