shkretë

Nga Wiktionary

SHKRETË mb.

  • 1. Ku nuk jetojnë njerëz, i pabanuar, i braktisur; ku nuk ka a ku nuk duket njeri në një çast të caktuar, që s'ka fare jetë e gjallëri. Vende (fshatra) të shkreta. Ishull i shkretë. Shtëpi (dhomë) e shkretë. Rrugët mbetën të shkreta.
  • 2. I papunuar, i lënë djerr e pa asnjë kujdes; që është si shkretëtirë. Fusha (toka) të shkreta. Male të shkreta male pa bimësi e pa burime uji. Një kopsht i shkretë.
  • 3. I vetëm, që nuk ka njeri të afërt; që nuk ka kush të kujdeset për të; i mjerë, fatkeq, i gjorë, që është për të të ardhur keq; i harruar, i lënë mënjanë, qyqar. Plak i shkretë. I shkreti djalë. E shkreta nënë (vajzë). Ai i shkreti s'dinte gjë! Ç'të të them unë e shkreta! Mbeti e shkretë.
  • 4. Që ka vdekur. Vëllai i shkretë. Motra e shkretë.
  • 5. Që u shkretoftë, që e marrtë mortja, i mallkuar; që mos u shkretoftë kurrë, që e paçim gjithnjë, i bekuar (përdoret sipas vlerësimit të folësit). Kjo kollë e shkretë! Pleqëri e shkretë! Për këtë të shkretë duhan! Ky behar i shkretë! Kjo raki e shkretë! Ç'ka ky i shkretë gomar që s'ecën! Pse s'po ndizet ai i shkretë zjarr?! Kjo mendje e shkretë ma ka fajin. Sa e mirë që është, e shkreta! Piva një çikë nga ajo e shkreta.
  • 6. iron. I thuhet me qesëndi një njeriu që kërkon një përfitim a një privilegj të padrejtë. I shkreti ti! E shkreta ajo!
  • 7. bised. përd. em. f. sipas kuptimit 5 të emrit (zakonisht për gojën, për këmbët, për duart ose për mendjen). Po hape (mbylle) të shkretën! Po lëvizi të shkretat! Ku të shpie (ku të kullot) e shkreta! Thirri së shkretës!
  • 8. përd. em. f. si fj. ndërm. bised. Përdoret zakonisht kur duam të përforcojmë urdhrin dhe të tregojmë se e kemi humbur durimin, se është kapërcyer kufiri për një gjë etj. Pusho një herë, të shkretën! Çlodhu pak të shkretën! Jepja de, të shkretën! Ah, të shkretën, që s'eci dot. Po mjaft de, të shkretën! Ç'e harrova, të shkretën!
  • 9. Përd. em. sipas kuptimeve 3-5 të mbiemrit. Ka mbetur vetëm, i shkreti! Kur qe gjallë i shkreti. Sa e mirë që është, e shkreta!

SHKRETË ndajf.

  • 1. Vetëm, pa njeri; pa zot; keq, në mjerim, pa ndihmë. Mbetën shtëpitë shkretë. I lanë fshatrat (familjet) shkretë. E la shkretë e lugëthatë e la në mjerim të plotë, e la pa bukë e pa gjë prej gjëje. I la armët shkretë. Dhentë mbetën shkretë.
  • 2. Djerr, pa punuar. Toka mbeti shkretë. krahin. Kot. U ka shkuar koha shkretë. Janë lodhur shkretë.