rast

Nga Wiktionary

RAST m.

  • 1. Diçka që ndodh, veprim ose ngjarje që kryhet në jetë; ngjarje ose dukuri që përsëritet disa herë, diçka në vargun e disa ngjarjeve ose dukurive, herë. Rast i veçantë (i rrallë, i papritur, i jashtëzakonshëm, i shkëputur). Rast i rëndë (i dyshimtë). Rast i njëjtë (i ndryshëm, tipik). Një rast nga jeta. Në dy raste. Në shumë raste. Në të shumtën e rasteve. Në çdo rast kurdoherë. Në asnjë rast asnjëherë. Ka raste rastis, ndodh. Më bie rasti më ndodh, më rastis.
  • 2. drejt. Ngjarje ose veprim që shqyrtohet nga ana ligjore; çështje. Rast i rëndë. Rast i parashikuar (i paparashikuar) nga ligji. Shqyrtuan një rast.
  • 3. Diçka që ndodh në rrethana të papritura e që nuk mund të parashikohet, ngjarje e papritur. Ishte vetëm një rast. Nuk ia lë në dorë rastit. Kjo s'duhet të varet nga rasti,
  • 4. Rrethanat në të cilat do të ndodhë ose ndodh diçka; gjendje zakonisht me rrethana të ndërlikuara ose të papërshtatshme. Në rast mungese (pamundësie). Në rast nevoje (ngushtice). Në rast sëmundjeje (vdekjeje). Përgatitemi për rast lufte. Sipas rastit. Në këtë rast.
  • 5. Rrethana të përshtatshme për të bërë me lehtësi diçka; çasti i volitshëm; mundësia. Rast i mirë (i keq, i volitshëm). Rast shënimi (gjuajtjeje). sport. Me rastin më të parë. Pres (kërkoj, gjej, gjuaj) rastin. Humbas (shfrytëzoj) rastin. Pata rastin. I dha një rast. Më erdhi (m'u dha) rasti. E solli rasti. E bleva me rast. Kapi rastin. Ia gjeti rastin. Përfitoi nga rasti. Nuk lë rast pa folur. Tani është rasti. Kur të dalë (të më paraqitet) rasti.
  • 6. Rrethana të rëndësishme shoqërore ose me karakter solemn, ngjarje e shënuar. Fjala e rastit. Urimet (përshëndetjet) e rastit. Ceremonia e rastit.
  • 7. Shkak, arsye. Me rast e pa rast. S'i jep rast. Do rast. U gjet një rast.
  • Në rast se... në qoftë se. Për çdo rast sido që të ndodhë, sido që të vijë puna. Në rast të kundërt përndryshe. Me rast e pa rast vend e pa vend.