mëmë

Nga Wiktionary
Shko tek: lundrim, kërko

MËMË f.

  • 1. Gruaja kundrejt fëmijëve të vet; gruaja që ka lindur fëmijë, nënë. Mëmë e dashur (e dhembshur). Mëmë me shumë fëmijë. Gjiri (qumështi) i mëmës. Gjuha e mëmës. Mëmë e bijë. Mëmë e babë. Vëlla nga mëma. U bë mëmë lindi fëmijë.
  • 2. Femra e një kafshe, që ka pjellë të vogël. Mëma e qengjit.
  • 3. Mbretëresha e bletëve, matka, amza. Mizat e bletës shkojnë pas mëmës.
  • 4. bised. Përdoret për të emërtuar vjehrrën në shenjë dashurie e nderimi ose për t'iu drejtuar me dashuri e me nderim një gruaje të moshuar. Shkojmë nga mëma! Ulu këtu, mëmë!
  • 5. anat. Ani i gruas ose i femrës së gjitarëve; shtrati i pjellës. Mëma e fëmijës.
  • 6. vet. nj. bot. Bimë me farë, që luan rolin e femrës në kryqëzimin për të nxjerrë një lloj të ri. Zgjedhin mëmën.
  • 7. Vendi ku nis një rrjedhë uji, burim, gurrë, amë. Mëma e përroit.
  • 8. fig. Burimi i diçkaje, shkaku i një dukurie ose i diçkaje tjetër, ajo që pjell diçka; zanafillë. Mëma e fitoreve. Papunësia - mëma e varfërisë. Përtacia është mëma e shumë të këqijave. fj. u.
  • 9. fig. Diçka që qëndron mbi të tjerat (nga vlera, nga rëndësia etj.), ajo që qëndron në krye; ajo që është e parë, pas së cilës vijnë të tjerat ose nga e cila varen të tjerat. Mëma e të gjithave.
  • 10. fig. Diçka shumë e dashur dhe e shtrenjtë. Mëma jonë.
  • 11. përd. mb. fig. Që luan rolin e femrës në kryqëzimin për të nxjerrë një lloj të ri. Bimë (farë, rrënjë) mëmë.
  • 12. përd. mb. fig. Që është burimi a shkaku i diçkaje, zanafilla e një qenieje a e një dukurie, që na ushqen e na mban gjallë. Natyra mëmë. Toka mëmë.
  • 13. përd. mb. fig. Që qëndron mbi të tjerat (nga vlera, nga rëndësia etj.); që është krijuar përpara të tjerave, që ka ndihmuar për krijimin e të tjerave, e parë, pas së cilës vijnë të tjerat. Anija mëmë.