liri

Nga Wiktionary
Shko tek: lundrim, kërko

LIRI I f.

  • 1. Të qenët i lirë në jetë e në punë; mungesa e shtypjes, e varësisë dhe e kufizimeve që pengojnë, vështirësojnë e ndrydhin veprimtarinë politike e shoqërore të një klase a shtrese të caktuar, të shoqërisë në tërësi ose të anëtarëve të saj; gjendja kur një vend nuk është i pushtuar dhe kur një popull rron i lirë dhe i pavarur. Liri politike (shoqërore, ekonomike). Liritë demokratike e drejta e fjalës, e shtypit, e mbledhjes, e grumbullimit dhe e manifestimit publik. Liri e plotë (e kufizuar). Liria e fjalës (e shtypit, e mbledhjeve). Lufta për liri e pavarësi. E fituam (e mbrojmë) lirinë. Vdekje Fashizmit — Liri Popullit! S'durohet jeta pa liri. Liria i ka rrënjët në gjak. fj. u. Liria nuk dhurohet, por fitohet. fj. u. Liria nuk mbrohet me fjalë e me urata, por me harqe e me shpata. fj. u.
  • 2. Gjendja e dikujt që nuk është i burgosur, i internuar a i arrestuar dhe gëzon të drejtat qytetare; të qenët i lirë. Liria personale. U dënua me heqje të lirisë.
  • 3. vet. nj. hist. Gjendja e një njeriu, i cili nuk ishte skllav a bujkrob (në rendin skllavopronar e në atë feudal).
  • 4. Mungesa e kufizimeve ose e pengesave në veprimtarinë e përditshme të dikujt ose në një fushë të caktuar; e drejta e plotë që i jepet dikujt për diçka; të qenët i lirë në mendime e veprime. Liria e mendimeve (e pikëpamjeve). Liria e ndërgjegjes. Liri veprimi. Liria e martesës. I ka dhënë fëmijës liri të madhe.
  • 5. vet. nj. filoz. Mundësia e njeriut për të njohur dhe për të përdorur sipas vullnetit të tij ligjet objektive të zhvillimit të natyrës e të shoqërisë. Liria dhe domosdoshmëria. Liria e vullnetit.
  • I ka dhënë liri gjuhës keq. flet shumë e pa u menduar mirë, nuk i vë fre gjuhës. Liria poetike let. heqje e shtesa tingujsh ose ndryshime të tjera gjuhësore në vargjet për të ruajtur ritmin, numrin e rrokjeve etj. Liria e detit të hapët e drejta e anijeve të shteteve të ndryshme për të lundruar lirisht në det të hapët. Liria e hapësirës ajrore (liria e ajrit) e drejta e aeroplanëve të shteteve të ndryshme për të fluturuar lirisht në një hapësirë ajrore të caktuar.


LIRI II f.

  • Jelja e kalit. Liri e gjatë. Mbahej nga liritë.