kush

Nga Wiktionary

KUSH

(gjin. i, e KUJT; dhan., rrjedh. KUJT; kallëz. KË) përem.

  • 1. pyet. Përdoret në fjalitë pyetëse për të pyetur në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë për një njeri; cili. Kush është? Kush të pyeti? Kush të tha? Kush e bëri? Kush e pa? Kush i foli? Kush i ra? Kush e prishi? Kush e di? E pe kush erdhi? Ta tha kush e dërgoi? Nuk e mori vesh kush ishte.
  • 2. pyet. Përdoret në pyetjet retorike që nënkuptojnë një përgjigje mohuese; përdoret në pyetjet retorike që nënkuptojnë si përgjigje «të gjithë», «kushdo»; cili. E kush e do atë! E kush nuk e di! E kush nuk e ka marrë vesh! E kush nuk e ka parë (nuk e ka dëgjuar)! E kush nuk erdhi aty! E kush nuk e njeh atë!
  • 3. pyet. Përdoret për të pyetur për punën a detyrën e një njeriu në marrëdhënie me të tjerët; ç'. E kush je ti këtu?
  • 4. pakuf. Përdoret (zakonisht me pjesëzën ja me kuptim dëftor) për të dalluar një njeri dhe për ta veçuar nga të tjerët; cili. Ja kush qenka! Ja kush paska ardhur! Ja kush e ndalka!
  • 5. pakuf. Përdoret me kuptim veçues, duke u përsëritur në krye të gjymtyrëve të njëjta të një fjalie ose në krye të fjalive të bashkërenditura; dikush ... dikush ..., njëri... njëri... U shpërndanë kush andej e kush këtej. Kush më shumë e kush më pak të gjithë nga pak, të gjithë. Kush më përpara e kush më prapa. Kush sot e kush nesër. Kush lexonte e kush shkruante.
  • 6. pakuf. lidh. Përdoret për të treguar një frymor të pacaktuar, me kuptimin «ai që». Le ta marrë kush të dojë. Puno me kë të duash. Merre prej kujt të duash. Mori kush mundi. Kush punon, ha. fj. u. Kush s'ka mend, ka këmbë. fj. u. Kush bën, pëson. fj.u. Kush të rrojë, do të shikojë. fj. u. Kush kërkon, gjen. fj. u.
  • 7. pakuf. Asnjë, asnjë njeri, askush, kurrkush. Atë s'e do kush. S'ka kush e mohon.
  • 8. pakuf. Secili, çdonjëri (e përsëritur me lidhëzën e me nuanca përforcuese). Kush e kush më parë. Kush e kush të fliste.