kungull

Nga Wiktionary

KUNGULL m.

  • 1. bot. Bimë barishtore njëvjeçare, me kërcell të gjatë zvarritës, me fletë të gjera sa një pëllëmbë e me lule, të verdha, që lidh kokrra të mëdha, në trajtë vezake ose gjatoshe e me fara brenda; kokrrat e kësaj bime që përdoren si ushqim. Kungull i verdhë (i zi). Kungull i butë. Kungull i pjekur. Kunguj të mbushur (të skuqur). Farë kungulli. Byrek me kungull.
  • 2. Enë uji që bëhet me kokrrën e një lloji të veçantë të kësaj bime, susak. Piu ujë me kungull. Mbushi kungullin. E milte lopën në kungull.
  • 3. Shishe me bark të gjerë, që përdoret për të mbajtur pije të ndryshme ose për ujë.
  • 4. fig. thjeshtligj., mospërf. Mendja; koka. Kaq ia pret kungulli. Nuk i mbushet kungulli. E ka kungullin bosh.
  • 5. fig. thjeshtligj., shar. Njeri i trashë nga mendja, budalla. Ik, ore kungull!
  • 6. fig. përd. mb. sipas kuptimit 5 të emrit. Qenka kungull fare!
  • Kungull (trangull) pa fara mospërf. shih te FAR/Ë,~A. Pinë në një kungull janë njësoj; e njohin mirë njëri-tjetrin, rrinë gjithnjë bashkë. U bë lule kungulli u trondit shumë e u zverdh krejt në fytyrë nga diçka; u dobësua shumë e u tret. U bë (u rrit) kungulli e mori (e zuri) gardhin
  • a) iron. ende pa u rritur mirë ose pa fituar përvojën e duhur fillon të shesë mend, të mburret e të krekoset para të tjerëve;
  • b) keq. e kishte mik dikë, por ka filluar t'i bëjë keq (thuhet kur dy miq a shokë prishen e fillojnë të dëmtojnë njëri-tjetrin). Flet hudhër në kungull shih te HUDH/ËR,~RA. Rroftë sa kungulli në brymë! iron. shih te BRYM/Ë,~A. U dogj nga kungulli (nga qulli) e i fryn edhe kosit. fj. u. shih te QULL,~I. Nuk mbahen dy kunguj (dy shalqinj) nën (një) sqetull (në një dorë) fj. u. nuk mund të bëhen shumë punë përnjëherësh, nuk duhet të zotohesh për të bërë vetë shumë punë që nuk i kryen dot. Nuk shkon gjithmonë kungulli mbi ujë fj. u. nuk i ecin gjithmonë dallaveret që bën, nuk mund t'ia hedhë gjithmonë të tjerëve, do t'i dalin të palarat në shesh një ditë. Kungull i egër bot. bimë barishtore e helmët, me kërcell kacavarës, që bën lule të bardha dhe kokrra të vogla e të zeza. Kungull ferracak bot. stërkungull. Kungull ujës bot. kungullujës. Lule kungulli bot. shih te LUL/E,~JA.